“Illyrian Guard” ShA është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, datë 4 Prill 2019, si Shoqëri me kapital 100 % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë, publikë dhe privatë. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 % të aksioneve të shoqërisë “Illyrian Guard” ShA, është Ministria e Brendshme. Shoqëria “Illyrian Guard” ShA, ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit. Shoqëria “Illyrian Guard” ShA, ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore. Mënyra e përllogaritjes së tarifave të shërbimeve specifike, që u ofrohen subjekteve publike, janë përcaktuar me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen me kërkesë kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike. “Illyrian Guard” vjen si një alternativë e re në treg, duke garantuar profesionalizëm, cilësi maksimale si dhe sisteme të avancuara të teknologjisë së informacionit. Përdorimi i teknologjisë së avancuar dhe infrastruktura kontribuon në ofrimin e një shërbimi me cilësi të lartë dhe garanton konfidencialitetin e informacionit. Në fokus të Shoqërisë janë gjithashtu kërkimet teknologjike të thelluara në funksion të sigurisë fizike dhe kibernetike.